TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë virtualisht në Euronews EU Enlargement Summit, samiti i Zgjerimit në Euronews. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se brenda vitit 2030,Shqipëria do jetë në tryezën e Bashkimit Europian, falë reformave të thella që po ndodhin në vend
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për ministren e Inteligjencës Artificiale, Diellën, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend kandidat që ka përdorur gjerësisht AI, veçanërisht në fushën e legjislacionit, për të përshpejtuar proceset administrative dhe ligjore. Sipas Ramës, Shqipëria po e përdor inteligjencën artificiale gjatë negociatave dhe kjo është një nga arsyet pse Tirana zyrtare është më e shpejta në këtë proces.
“Brenda 27 synojmë të kemi sistemin e plotë të bazuar në Ai të prokurorimeve publike. Keni dëgjuar që Diella është shtatzëne me 83 foshnja bazuar në ekografinë e fundit. Duhet të presim për të lindur 83 bebet. Jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur AI në korpusin tonë ligjor duke e bërë procesin më të shpejtë ndonjëherë jo vetëm sa i takon përkthimit, por edhe analizimit të ndikimit dhe hartimit të përgatitjes të gjithë paketave ligjore për tu miratuar në parlament. Po përpiqemi të vrapojmë sa më shumë është e mundur dhe që të hedhim hapa të mëdhenj një duke përdorur AI.Do të isha i lumtur ta prezantoj Diellën me këto nga na e BE që do ë prezantohet si komisionet e AI apo si teknokrat i AI”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria pranon ndihmë, por nuk pranon leksione kur bëhet fjalë për korrupsionin. Rama ka folur për reformën në drejtësi dhe punën e SPAK në goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Rama tha se ajo çka Shqipëria po bën sot në luftë kundër korrupsionit është unik dhe se asnjë vend tjetër në rajon nuk mund të pretendojë se ka arritur ta bëjë gjithashtu.
“Shqipëria po bën diçka unike në gjithë rajonin, reformën tonë në drejtësi dhe njohjen nga ana jonë të pavarësisë së drejtësisë. Veprimtaria e plotë e SPAK ka krijuar në Shqipëri dhe për Shqipërinë shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon përtej fjalëve, shumë përtej sipërfaqes, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar pa parë majtas apo djathtas, pavarësisht kush është në qeveri apo opozitë, kush ka qenë në pushtet apo kush është në pushtet dhe me shumë fakte që tregojnë se ajo që kurrë nuk kishte ndodhur në Shqipëri që prej krijimit të shtetit shqiptar deri shumë pak vite më parë, po ndodh vitet e fundit, diçka që askush në rajon nuk e ka bërë. Kjo është për të thënë që e kemi marrë shumë seriozisht dhe ne pranojmë mbështetje, partneritet dhe ndihmë, por jo leksione nga askush kur vjen te lufta ndaj korrupsionit”, tha Rama.
Rama ritheksoi se ky vit ka qenë mjaft pozitiv, duke theksuar kohën rekord të çeljes së 5 nga 6 grupkapitujve.



