TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot konferencën e fundvitit me gazetarët, ku tha se ky vit që po mbyllet është një nga më të mirët në aspektin ekonomik. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës Lindore.
“Instituti amerikan Cato, që publikon edhe atë që quhet indeksi i indekseve lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike. Shqipëria ka pozicion shumë inkurajues, është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe e 9-ta në gjithë pjesën e Evropës lindore. Kështu e kanë të ndarë raportin. Ku sa i përket lirisë ekonomike renditet para vendeve si Polonia, Bullgaria, Greqia e Hungaria dhe po ashtu për lirinë njerëzore. Për lirinë ekonomike në pozicion më të mirë se dy apo tre vende përpara saj. Është një pasqyrë pozitive, por shfrytezova rastin për ta ndarë me ju si një lajm të mirë nga shumë të mira për Shqipërinë që sic e thashë nuk bëjnë lajm”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se duke nisur nga Janari, do të rriten pagat minimale dhe pensionet, ndërkohë që gjatë vitit 2025 ka pasur një ulje të borxhit. Rama nënvizoi se në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.
“Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro.”, u shpreh Rama./ZËRI



