KOSOVË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur paraditen e kësaj të hëne për një vizitë pune në Kosovë, një ditë para 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare është pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Rama pritet të zhvillojë gjithashtu një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe aktivitete të tjera zyrtare. Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.
Policia e Kosovës gjithashtu ka dalë me një njoftim me një plan masash për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës.
“Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.





