TIRANË-Kryeministri Edi Rama mblodhi sot në podcast kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme lokale të së dielës. Rama iu dha porosi kandidatëve që 50% të mendjes duhet ta mbajnë tek fshati dhe 50% tek qyteti.
‘Kryetarët tanë të bashkive duhet të jenë shumë të vëmendshëm që ta ndajnë në dysh trurin qytet dhe fshat dhe jo të ndajnë gjithë kohës nga qyteti, qyteti është i rëndësishëm, por duhet ta mbajnë 50% të mendjes tek fshati, për të qebe aktiv, për të krijuar ndërmarrje në fshat, për të dhënë kontribut si bashki dhe për të përfituar nga skemat e financimit, por që kanë nevojë për ndryshim mentaliteti, në mënyrë që 200 mln euro që janë atje nga kreditimi i bankës së Shqipërisë apo fonde të tjera që krijohen nga kjo qasje sipërmarrje, të bëjmë lek për bashkinë, kjo është e rëndësishme”, tha Rama.
Një këshillë veç e kishte për kandidaten e Vlorës, Brunilda Mersinin, të cilës i kërkoi “që të presë degët e nepotizmit në bashki”.
“Shpresoj mirë që ata drejtorët të vijnë në resht të gjithë të parët, para fillimit të orarit zyrtar dhe të ikin në fund kur të gjithë të tjerët të jenë në shpi. Bruna duhet të marrë listën e atyre që janë në punë dhe të fillojë me gërshëre të presë pemët e nepotizmit atje në Vlorë, në administratë, që është një histori e madhe më vete ajo. Po ta them që ta dëgjojnë edhe vlonjatët, drejtorët duhet të vinë rresht në mëngjes të bashkia një nga një dhe në orën 7 e 30 të jenë rreth e rrotull tryezës tënde dhe pastaj të fillojnë punë. Unë po të them drejtorët, dua që drejtorët e bashkisë Vlorë të shkojnë në punë në 7 e 30 në rresht njëri pas tjetrit. Kush nuk vjen në rresht atje të iki dhe të vijë tjetri. Dhe 100 ditë duhet të krastitur gjithë pema e nepotizmit, duke filluar nga kushërinjtë. Ke ndonjë kushëri atje në bashki? Po e pate ta gjejnë vlonjatët”, tha kryeministri Rama.
5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet të dielën janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena, kryesisht bastione të së majtëve, ndërkohë që 13 kandidatë në garë synojnë që të zgjidhen në krye të këtyre njësive të pushtetit vendor. Mandati i 5 të zgjedhurve do të jetë i pjesshëm, dhe ata do të qeverisin me këshillat bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 2023-shit, duke lënë pak vend për ndryshime në politikat lokale./ZËRI



