TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët socialistë tha se bashkitë duhet që të krijojnë zyrë të ndihmën juridike për kadastrën. Sipas tij, zyra duhet të ndërtojë planet e legalizimit dhe përcaktimin e zonave prioritare. Rama tha se zyra do të ndiqet nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
“Kadastra, në bashkëpunim me çdo bashki, por këtu duhet angazhimi juaj, të ndërtojë planet prioritare të legalizimit. Në mënyrë që të legalizojmë procesin dhe ta bëjmë më të drejtë e transparent për aplikuesit duke vendosur një sistem ku ata që kanë aplikuar më parë janë të parët për të marrë përgjigje, po ashtu përcaktimi i zonave prioritare. Të kemi një punë të përbashkët dhe të koordinuar më të mirë. Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në mënyrën e kuptimit sesi bëhet një legalizim. Këtë do ta ndjekë ministri i Pushtetit Vendor”, tha Rama./ZËRI



