TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin me raketa balistike të regjimit iranian ndaj Turqisë. Rama e ka cilësuar atë një akt të rrezikshëm që kërcënon stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Përmes një postimin platformën “X”, kryeministri u shpreh se fakti që ky është sulmi i dytë i tillë brenda pak ditësh është thellësisht shqetësues dhe tregon natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
Rama përshëndeti reagimin e shpejtë të NATO në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës, duke theksuar se Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të NATO-s.
“Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht alarmues dhe nënvizon më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend vëllazëror, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i vlefshëm i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri duke vazhduar sulmet kundër fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë“, shkruan Rama./ZËRI



