Trajneri i Kombëtares shqiptarë, Silvinjo, zhvilloi një takim të veçantë me futbollistët e Elite Youth Development Academy, ku ndau rrugëtimin e tij si futbollist dhe si trajner.

Ai u ndal te fillimet e tij si futbollist, momentet e rëndësishme me klubet që ka luajtur, vështirësitë e hasura, si dhe eksperiencën e drejtimit të Kombëtares këto tre vite.
“Në futboll kam bërë një rrugëtim të gjatë, me trajnerë të ndryshëm, nga të cilët kam mësuar shumë. Për mua pjesa më e vështirë si futbollist ishte menaxhimi i momenteve kur nuk luaja mirë ose jo dhe kur nuk luaja fare. Nuk është e lehtë, sepse ndjen një frustrim të brendshëm, por e rëndësishme është të mos e transferosh te shokët e skuadrës, trajneri apo pjesëtarët e tjerë të stafit”, – u shpreh trajneri Silvinjo.
“Kam qenë futbollist i mirë që i vogël, luaja me këmbën e majtë dhe në përgjithësi të gjithë lojtarët që luajnë me këmbën e majtë janë shumë të mirë. Rreth moshës 15-16 vjeç jam gjendur për herë të parë në një situatë ku nuk po luaja. Ky ishte moment që të bën të mendosh se si mund të ecësh para. Në darkë qaja 5 minuta para se të flija, nuk më dëgjonte njeri, por të nesërmen në orën 7 të mëngjesit isha gati”, – theksoi trajneri i Kombëtares.
Në fund, trajneri Silvinjo dha disa këshilla për kuqezinjtë e vegjël, ku theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë në stërvitje dhe frymës së grupit në skuadër.













