TIRANË-Është publikuar buxheti i shtetit për vitin 2026. Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025. Nga kjo shifër 100 milionë euro do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve. Fondi për rindërtimin do jetë në 50 milionë euro.
Në vitin 2026 parashikohen edhe disa fonde shtesë:
-13.8 miliardë lekë si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja;
-200 milionë lekë si grant performance për Bashkitë e vendit, që përdoret si mekanizëm financiar për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore;
-5.5 miliardë lekë si transfertë sektoriale për rritjen e pagave.
Konkretisht shpenzimet e personelit për vitin 2026 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, koston e plotë të indeksimit të pagave në nivelin 2.5% si dhe efektet e hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë.
Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë ose 5% e PBB. Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë.
Në pr.buxhetin për vitin 2026 është përfshirë edhe paketa fiskale 2026, e cila përfshin paqen fiskale, rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndryshimet në TVSH për bujqësinë, si dhe rritjen e pagës minimale dhe maksimale. Paqja fiskale do të nisë në janar, ku 213 mijë tatimpagues debitorë, do të mund të përfitojnë ulje të gjobave e kamatave, kurse çdo borxh i krijuar para 2016-ës falet plotësisht. Efekti financiar nga zbatimi i kësaj nisme për vitin 2026 vlerësohet në rreth 3.7 miliardë lekë.
Rivlerësimi i ri pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të mbyllet më 30 shtator 2026. Sipas pr.buxhetit tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Brenda paketës fiskale për vitin 2026 do të jetë edhe rishikimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me fokus korrigjimi i skemës së rimbursimit në bujqësi. Ministria e Financave ka parashikuar që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, nga 0% që është aktualisht kjo normë tatimore.
Dokumenta bashkëngjitur



