TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Kuvend, ku dha sqarime në lidhje me mungesën e tij në Davos, për të firmosur marrëveshjen me presidentin amerikan Donald Trump, për Bordin e Paqes.
“Isha në mes të një dileme nëse duhet ti përgjigjesha babait, apo të prisja vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait. Prisja nga zoti Mediu, që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës. Zoti Mediu rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që na ftuan”, u shpreh Rama.
Rama iu përgjigj interesimit të deputetëve të pranishëm në sallë, mes tyre dhe Erald Kaprit, i cili solli shembullin e presidentes së Kosovës, e cila ishte pranë Trump në Davos.
“Duke përfituar nga rasti që kemi kryeministrin në sallë, dua mendimin e tij nëse është krenar sot që presidentja e Kosovës ndodhet në nënshkrimin e Bordit të Paqes, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk ndodhet në Davos për të firmosur”, u shpreh Kapri.
Ai theksoi se pritshmëritë kanë qenë që Shqipëria të ishte e pranishme në Davos, pasi sipas deklarimeve zyrtare, vendi ynë është konsideruar si një nga themeluesit e kësaj nisme. Kapri iu referua gjithashtu deklaratës së kreut të grupit parlamentare të PS-së, Taulant Balla, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka marrë një ftesë të tillë. /ZËRI



