PS ngre komision kundër nepotizmit, do e drejtojë Lindita Nikolla, Rama: Nuk ka më thika pas shpine…


PS ngre komision kundër nepotizmit, do e drejtojë Lindita Nikolla,

rama dhe nikolla ne mbledhje grupi, foto arkiv

TIRANË- Me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, socialistët kanë vendosur ngritjen e një Komisioni Etike, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar. Mësohet se Komisioni i etikës kundër nepotizmit brenda PS, do të kryesohet nga Lindita Nikolla, për të kontrolluar të afërm në nivel drejtues. Komisioni do të ketë anëtarë Kiduina Zakën, Erjon Braçen, Marjana Koçekun dhe Ermal Elezin.

Ngritja e këtij Komisioni u paralajmërua nga Rama që në asamblenë e PS, ku prezantoi qeverinë e mandatit të katërt, ndërsa tha se nuk do të ketë më thika pas shpine ndaj qytetarëve që i kanë mbështetur pa kushte gjatë gjithë këtyre viteve.

“Ka ardhur koha që të ngremë një komision të etikës me deputetë dhe përfaqësues të PS-së në çdo bashki, i cili duhet të trajtojë një fenomen gërryes, shkurajues për njerëzit, poshtërues, të vjetër, të egër që duhet sulmuar agresivisht çdo territor, duke filluar nga qendra, përkatësisht nga qeveria dhe nga grupi parlamentar dhe pastaj në nivel bashkie dhe të çdo ndërmarrje publike, nepotizmi. Lidhjet e gjakut në pozicione drejtuese”, tha Rama gjatë muajit Shtator.

“Familjarët e një pjese këtu kanë meritën e madhe që na mbështesin pa kushte duke marrë dhe stres dhe baltë krejt të pamerituar për hatrin tonë, qofshin kur janë gjyshër, qofshin kur janë fëmijë, çka duke u nisur unë personalisht nga vetja mund t’ju them se në sytë e mi ata i bën heronj që më kanë mua në shtëpi dhe me përballojnë dhe jo vetëm përballojnë për mua shumë më tepër sesa ç’përballoj unë për ata, por e kanë bërë vet dhe në udhëheqjen e opozitës brenda shtëpisë time ndarjen me thikë të punëve të tyre nga punët e shtetit”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi asokohe se kur vjen puna te vendimmarrjet dhe tek aksesi në sferën e funksionit të detyrave publike, familjaret dhe lëre pastaj farefisi dhe krushqit, nuk mund të kërkojnë avantazhe nga pushteti.

“Jo vetëm në raport me ata qindra mijëra anëtare dhe mbështetës të kësaj familje të madhe politike që janë arsye pse ne jemi këtu se nuk janë krushqit, nuk janë kushërinjtë, por në as në raport me çdo njeri të këtij vendi që duhet të vlerësohet sipas meritës dhe jo sipas mbiemrit të tij apo mbiemrit të vjehrrit, jo sipas afërsisë apo largësisë nga tarafet e njërit apo tjetrit të nesh, jo sipas interesit privat apo politik, por gjithsesi personal të deputetëve që bëjnë qoka në mënyrën më të papërgjegjshme për të sistemuar njërin apo tjetrin dhe që nuk duan t’ia dinë fare se çfarë pasojash ka sistemimi i të paaftëve dhe i dallkaukëve në cilësinë e punës së një institucioni. Ashtu sikundër nuk duan ta dinë fare që ato qoka janë thika pas shpine e prindërve, e gjyshërve e gjysheve që çohen në 8 të mëngjesit për të votuar të parët PS dhe që meritojnë për nipin dhe për besën e tyre që PS t’i trajtojë si fëmijët e vet”, u shpreh Rama./ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top