TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të grupit socialist që dolën rrëzuan kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka ironizuar vendimin duke e quajtur ‘të Gjykatës Supreme të Republikës-PS”, teksa nuk ndali akuzat ndaj kryeministri Rama.
Sipas Bardhit, Rama po mbron korrupsionin dhe zgjodhi pengimin e drejtësisë. Ndërkohë, ai shton më tej se çështja Balluku nuk është thjesht politike, por një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian.
Në përfundim të reagimit, Bardhi bën sërish thirrje për qytetarët që të dalin në protestën e 12 marsit.
Postimi i plotë i Bardhit:
MË NË FUND DEL HAPUR: I KORRUPTUARI MBRON TË KORRUPTUARIT! MË NË FUND, ZYRTARISHT PENG!
Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës – PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!
SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.
Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.
Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.
Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.
Ndryshe nga socialistët, demokratët e kanë prezantuar më herët raportin e tyre, në të cilin kërkojnë t’i hapet rruga kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut.
Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve më seancën e 23 shkurtit kërkuan nga të gjithë deputetët në parlament, të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe hapjen së rrugës së Prokurorisë së Posaçme për të marrë të tjera masa ligjore.
Rekomandojnë:
Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal”./ZËRI



