TIRANË- Partia Socialiste ka njoftuar krijimin e një komisioni etike me synim luftën kundër nepotizmit dhe klientelizmit në administratën publike, përmes kontrollit të lidhjeve familjare të zyrtarëve në nivele drejtuese.
Njoftimi u bë gjatë mbledhjes të Grupit Parlamentar të PS, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Detajet e projektit u dhanë nga kryetari i grupit Taulant Balla.
Sipas tij, nisma synon të vendosë një ndarje të qartë mes funksionit politik dhe lidhjeve familjare me administratën shtetërore. Balla u shpreh se nëse një deputet i Partisë Socialiste ka familjarë në administratën publike, këta të fundit duhet të ikin.
Taulant Balla: Po marr shembullin: unë jam një deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste, duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë ata që janë rrethi familjar i imi që nuk kanë punë me administratën publike. Fatmirësisht nuk e kanë këtë hall por kushdo që e ka këtë hall duhet të shkëputet nga ky hall. Nëse një deputet i Partisë Socialiste ka një familjar në administratën publike, kjo situatë duhet të marrë fund. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se funksioni politik nuk mund të ndërthuret me interesat familjare.



