TIRANË-Në lidhje me situatën e krijuar në seancën e sotme plenare në Kuvend, ditën e nesërme do të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Mbledhja vjen pasi Grupi Parlamentar i PS-së, ka kërkuar përjashtimin e 29 deputetëvet të Partisë Demokratike pas kaosit dhe incidenteve të rënda që u shkaktuan në Kuvend.
Etika do të mblidhet një orë përpara mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku. Por pjesë e Këshillit të Mandateve janë edhe pesë deputetët demokratë, për të cilët është kërkuar masë disiplinore.
Ata janë Elda Hoti, Gazment Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi. Konkretisht për Elda Hotin dhe Gazmend Bardhi janë kërkuar 30 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare. Ndërsa për Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi janë kërkuar nga PS 10 ditë përjashtim.
Nëse Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën vendos masë ndëshkimore për opozitarët, nuk marrin dot pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve./ZËRI




