TIRANË- Shqyrtimi i projektvendimit për ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale është hequr nga rendi i ditës me kërkesë të socialistëve. Popozimi u bë mbrëmjen e sotme në seancën që po vijon që prej orës 10:00, nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pasi PD njoftoi se do të bojkotonte punimet e Reformës Territoriale.
“Darka sjell dhe habere të mira. Bazuar në nenin 49 të Rregullores, kërkoj ndryshim në rendin e ditës për të mos u shqyrtuar projektvendimi për “Për ndryshimin e vendimit nr. 75, datë 27.10.2025 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me shpresën se puna do të rifillojë në komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.
Vendimi i socialistëve nuk ka kaluar pa reagimin e opozitës, ku demokrati Luçiano Boci, u shpreh se kërkesa e PD ka qenë tërheqja e këtij vendimi dhe jo për shtyrje. Sipas Boçit, PS është ajo që po e mban peng dhe kërkon prej tyre që të vendosin dhe mos ta lënë ‘as mish as peshk’.
“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, jo të mos shqyrtohet, por tërheqja e këtij vendimi. Tërheqja tregon vullnet, nëse doni ta lini situatën as mish as peshk, atëherë doni ta bëni lojë. S’e keni ndarë mendjen, ndajeni ju mendjen. Ju e mbani peng. Ne e kemi bërë deklaratën, kemi treguar gatishmërinë tuaj, pse mo me sëpatë në qafë do futemi në komisione?!”, tha Boçi./ZËRI



