Protesta për gjuhën shqipe në Shkup, reagon ministri Hoxha: Gjuha amtare e drejtë themelore


Protesta për gjuhën shqipe në Shkup, reagon ministri Hoxha: Gjuha

Ferit Hoxha dhe protesta në Maqedoni

TIRANË- Protesta e studentëve shqiptarë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe ka nxitur reagimin e ministrit të vendit tonë për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri theksoi se e ka ndjekur me vëmendje shqetësimin dhe kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

Sipas tij, në rast se procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, institucionet kanë detyrimin të ofrojnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Ministri Hoxha theksoi gjithashtu se kjo çështje kërkon një trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, duke shmangur politizimin, ndërsa nënvizoi rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore dhe funksionimit të shtetit ligjor.

Ai vlerësoi angazhimin e studentëve, duke i përgëzuar për mënyrën demokratike të artikulimit të kërkesave të tyre.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.

#Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve.

#Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara.”- shkroi ministri Hoxha.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur studentët shqiptarë në Shkup po kërkojnë që provimet universitare të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë të tyre të garantuar me ligj./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top