SHKUP-Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka dhënë një mesazh të koduar në lidhje me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës.
“Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme. Një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”– me këtë thënie të James Freeman Clarke ka reaguar sot ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në lidhje me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut.
Mesazhi i tij vjen në kohën kur debati për të drejtën e studentëve shqiptarë për të dhënë provimin në gjuhën shqipe është intensifikuar, ndërsa interpretohet si një përgjigje indirekte ndaj qëndrimeve të fundit të Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
Pas peticionit të mbi 380 studentëve, qëndrimet zyrtare kanë pësuar luhatje – nga pranimi fillestar i së drejtës, në arsyetimin se nevojiten ndryshime ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar formimin e një grupi pune, edhe pse ekspertët juridikë theksojnë se baza ligjore për përdorimin e shqipes tashmë ekziston.



