TIRANË- Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet” vazhdon të protestojë për të 4-tën ditë përpara godinës së Kryeministrisë. I rrethuar nga qytetarë, mbështetës, Lapaj i fton të rriten çdo ditë në numër me qëndresë deri sa i gjithë qyteti të derdhet në bulevard.
Lapaj nuk la pa përmendur vendimin e Kushtetueses që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, duke theksuar se Gjykata ka qenë prej kohësh nën presionin e kryeministrit Rama.
“Sot jemi edhe më shumë se dje. Jo aq shumë sa duhet, por u rritëm. Të rritemi çdo ditë me qëndresë dhe shpresoj që një ditë të derdhet i gjithë qyteti në bulevard. Ju kërkoj, të kthemi nga zyra e tij: ‘dorëhiqu, dorëhiqur, dorëhiqu…’. Miq sot, Gjykata Kushtetuese, pas një presioni disaditor dhe javor të Edi Ramës ka vendosur që ta ritkhejë në detyrë zv.kryeministren. Kur heqin apo pezullojnë ndonjë nga ju nga puna, a ndodh që gjykata menjëherë ta kthejë siç ktheu zonjën Balluku? Tani, ne po jetojmë kohë të pabesueshme, nuk ka një vend të dytë në botë që të kapet një ministër me korrupsion, me ndërhyrje në tendera dhe askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi qeveria garon dhe shpërblehet deri ne 83 mandate. Madje duke garuar edhe në zgjedhje të parakohshme në 5 bashki. Kjo është një situatë surreale që nuk ndodh në asnjë vend të botës.”, tha Lapaj.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së sotme protesta është shoqëruar edhe më një përplasje mes forcave të policisë dhe Lapajt. Efektivë të policisë janë afruar dhe kanë kërkuar sërish që të largojnë çadrat të cilat kanë vendosur para godinës së Kryeministrisë për të qëndruar gjatë natës./ZËRI



