TIRANË- Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, gjatë protestës së organizuar para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë për abuzime me paratë publike në dëm të qytetarëve. Ai kritikoi shpenzimin e 10 milionë eurove për çokollata, ndërsa buxheti për luftën kundër kancerit konsiderohet i pamjaftueshëm.
Lapaj theksoi se qëllimi i protestës është largimi i “njeriut më të korruptuar në Europë” dhe se 83 mandatet e Ramës nuk kanë vlerë, pasi sipas tij populli e di se qeveria i përdor për të vjedhur. Në përfundim të fjalës së tij, ai njoftoi se protesta do të vazhdojë, duke qëndruar në shesh deri në dorëheqjen e Ramës.
“Erdhi për të zhbërë modelin e oligarkisë së Berishës, por nuk është zhbërë… Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Europë. A ja dha populli 83 mandate që ta vjedhë? Ato mandate kanë zero vlerë sepse populli e di të vërtetën që ata na vjedhin. Ju këtu jeni njerëz të lirë, shqiptarët meritojnë të jetojnë me dinjitet. Kemi 27 net që flemë në këtë shesh. Regjimi hajdut i Ramës nuk ka dërguar asnjë ambulancë… Për ata ne jemi njerëz që nuk duhet të ekzistojmë… Këta kanë blerë 10 mln euro çokollata, por buxheti kundër kancerit nuk është 10 mln euro në këtë vend. Me një firmë të zv/kryeministres kanë vjedhur 50 mln euro, ndërsa fëmijët në shkolla dridhen nga i ftohti,” -tha Lapaj./ZËRI



