TIRANË- Katër persona janë vënë në pranga nga policia e Tiranës, dhe 7 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë, pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike, përpara kryeministrisë. Personat e arrestuar dyshohet se janë autorë të shpërthimeve me molotov, që u kryen menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Protetuesit tentuar gjithashtu që të kalonin kordonin e policisë, dhe të hynin në drejtim të godinës së kryeministrisë.
Policia njoftoi se si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar dy efektivë. Pas shoqërimeve në komisariat, shkuan dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, që kërkuan të sqarojnë mbi rrethanet se përse u shoqëruan protestuesit.
Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.
Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike, ndërkohë që edhe pse u paralajmëruar një përshkallëzim i protestës deri në grevë urie, një gjë e tillë nuk ndodhi mbrëmjen e djeshme. /ZËRI



