TIRANË-Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestës së mbrëmjes së djeshme të Partisë Demokratike. Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE shprehet se është kundër dhunës, ndërsa i bën thirrje aktorëve politikë për vetëpërmbajtje. Në përfundim të reagimit delegacioni shprehet se është në mbështetje të angazhimit konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Reagimi i Delegacionit të BE-së në Tiranë:
Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.
Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.
Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.



