TIRANË- Protesta kombëtare organizuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, mbrëmjen e djeshme, është mbyllur me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit. Menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, ky i fundit valëviti flamurin nga podiumi, ndërsa protestuesit kanë hedhu molotovë e fishekzjarrë në drejtim të kordonit të policisë dhe kryeministrisë.
Kaosi përpara Kryeministrisi zgjati për pak minuta, ndalesa e dytë ishte para godinës së Parlamentit. Protesta u zhvendos para Parlamentit, ku u regjistruan incidente të shumta. Protestuesit u përplasën fizikisht edhe me forcat e rendit, duke u përpjekur për të çarë kordonin e policisë të krijuar përpara derës kryesore të godinës së Kuvendit. Situata ka përshkallëzuar, pasi i njëjti skenarë me molotovë, bomba e fishekzjarrë janë hedhur drejt Parlamentit, teksa efektivët i janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pak minuta pasi u duk që situata po qetësoj dhe turma po shpërndahej, të udhëhequr nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike një numër i vogël protestuesish u rikthyen sërish para Kuvendit, por këtë herë policia ujin dhe gazin e hodhi menjëherë, duke i paraprirë molotovëve të tjerë.
Gjatë tubimit janë hedhur lëndë piroteknike, molotovë dhe sende të forta në drejtim të policisë, duke shkaktuar plagosjen e disa efektivëve. Hedhja e molotovëve në mes të turmës, ka dëmtuar efektivët e policisë, të cilët kanë pësuar dhe djegie në trup. Lëndime gjatë protestës pësoi gjithashtu edhe deputeti demokrat Bledjon Nallbati, i cili u dërgua në spitalin e Traumës me dëmtime në kokë. Ndërsa, 20 protestues janë shoqëruar në polici.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Nënë Tereza” janë paraqitur 21 persona. Sipas ministrisë 19 prej tyre ishin efektivë të Policisë së Shtetit, një deputet i Partisë Demokratike, konkretisht Bledion Nallbati dhe një qytetar.
Kjo është protesta e dytë kombëtare e zhvilluar nga Partia Demokratike për vitin 2026, pas asaj të 24 janarit. Ndërkohë që, po mbrëmjen e djeshme, para orës 21:00, kryedemokrati Sali Berisha foli poshtë zyrës së tij në selinë blu ku njoftoi protestën e rasdhës më 20 shkurt. /ZËRI





