TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është ngjitur i fundit në podiumin para Kryeministrisë, duke mbajtur një fjalim përpara protestuesve dhe mbështetësve demokratë. Lideri i PD-së iu drejtua protestuesve duke u shprehur se ky është kilometri i fundit dhe ‘pranë triumfit të madh’.
Berisha ftoi qytetarët të bashkohen në rrugën drejt fitores, duke mos harruar sipas tij, qëndresën stoike të opozitës.
“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë. Një karvan maratonë e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vite të një përballje të egër. Përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë. Përdori burgjet, trillimet, manipulimet, lubimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në rrugëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne i dëshmuam shqiptarëve dhe botës që Shqipëria pa opozitë ishte turpi i tyre. Në këtë rrugëtim, ne u ngritëm si feniksi nga hiri dhe arritëm në kilometrin e fundit si partia më e mbështetur nga shqiptarët. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narko-diktaruë. Zoti ju bekoftë. Në rrugëtimin tonë epik, i provuam shqiptarëve dhe botës që jemi të pamposhtur dhe sot, në kilometrin e fundit, jemi më të vendosur se kurrë në objektivin tonë. Sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore. Secili nga ne duhet të rikujtojë ato që ne realizuam së bashku”, tha Berisha.
/ZËRI



