TIRANË- Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha, ka pasur sot një takim me Federatën e Opozitës, ku ka folur për protestën e 22 Dhjetorit, e cila pritet të përshkallëzohet deri në grevë urie.
Berisha theksoi se është jetike revolta, sipas tij, për rrëzimin e qeverisë duke kërkuar mobilizimin e të rinjve.
“Duhet të ngrihemi si përpjekje e fundit për të rrëzuar këtë narkoshtet, është faktuar gjithçka. Farsa elektorale, vjedhjet dhe janë vetëm maja e ajsbergut, janë faktuar lidhje me drogë.
Këta e kanë asgjësuar parlamentin, s’ka Parlament, Një qeveri që përgatit zgjedhje të lira, është kushti i kushteve për ne.
Protestat tona do të diversifikohen me greva, greva urie, në të gjitha format., Jemi të vendosur të përmbushim misionin.
Duhet të kemi të qartë se me këtë regjim është jetike revolte e qëndrueshëm, ato janë forma që rrëzojnë narkodiktatura, angazhimi i sa më shumë të rinjve në këtë betejë që opozita do ta fitojë” tha Berisha.
Ndërkohë që Berisha komentoi dhe zhvillimet e fundit për çështjen Balluku, ndërsa përgëzoi Prokurorinë për zgjerimin e hetimeve.
“Unë përgëzoj Prokurorinë për faktin se nuk ndalet në hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Edi Rama vazhdon që të mbrojë Ballukun, pavarësisht nga ato që thotë Prokuroria dhe në mënyrë të paturpshme e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një diktaturë me e egër se e vitit 1990. Nuk kam dëgjuar që në një ndërmarrje të ketë 3 pengmarrje për një muaj, kjo ka ndodhur tek AKSHI. Balluku ka blerë 300 apartamente me paratë e taksapaguesve.
Shpresa e vetme është opozita. Ne duhet të ngrihemi dhe ta rrëzojmë këtë narko-shtet, është faktuar gjithçka. Është faktuar farsa elektorale në mënyrë përfundimtare. Janë faktuar vjedhjet, janë faktuar lidhjet me drogën. Ne duhet të organizojmë forma të mëdha të protestës, është asgjësuar parlamenti. Protestat tona do kenë çdo element, nuk përjashtojmë dhe grevën e urisë. Revolta e qëndrueshme është jetike. Opozita dhe shqiptarët do e fitojnë këtë betejë. Këta nuk përmbahen në vjedhje”, tha Berisha.



