TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot projektin Smart City, që do të aplikohet në 20 bashki të vendit, ku kamerat do të jenë të pranishme në çdo cep të qytetit dhe sipas kreut të qeverisë, do të ndikojnë në uljen e kriminalitetit.
Rama tha se pak kohë më parë ishte në Jordani, një prej vendeve më të sigurta në botë, pikërisht për shkak të instalimit të kamerave në çdo cep të qyteteve. Rama tha se në harkun e dy viteve Shqipëria do të jetë pjesë e listës së këtyre vendeve, dhe do të identifikohet çdo shkelës dhe keqbërës.
Sipas kryeministrit, ky proces është vonuar, për shkak se në grupin e punës ka pasur njerëz që kanë sabotuar procesin.
“Përpara pak kohësh isha në Jordani, një vend me numër të lartë refugjatësh, një vend jo me pasuri të krahasueshme me vendet e tjera rreth e rrotull dhe njëri nga tre vendet më të sigurta në botë. Dhe kur fola me disa prej përfaqësuesve të lartë të vendit në lidhje me sigurinë, fjala e përbashkët ishte Smart City me teknologji nga Abu Dhabi.
Ky nuk është projekt kamerash, as projekt mbikëqyrjeje me kamera dhe mbikëqyrjeje e trupave të policisë përmes leximit të kamerës, kur del nevoja. Ky është projekt, që në sekondën kur vihet në jetë, rrit kapacitetin policor në kohë reale. Projekti i jep Policisë së Shtetit një sy magjik, për të parë në kohë reale gjithë territorin e interesit. Është projekt që ndihmon për të pasur një kryeinspektor të territorit, që i ka sytë gjithandej. Shkelësi do të identifikohet në kohë reale.
Do jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për qëllime personale, unë e kuptoj shumë mirë, që ata që bënë çmos ta sabotonin këtë projekt, e dinë shumë mirë sesa njollosje i bëhet policisë së shtetit. Kush do të dojë ti shmanget syrit të policisë së shtetit, duhet të mbulohet me ferexhe kur të dalë në rrugë, nuk do të ketë makina, që ikin në drejtim të paditur, se syri për të cilin fola, ka një rrjet mbulimi që futet kudo në 20 bashkitë që fola. Është çështje e sistemit të monitorimit, dhe ky është sistemi që sjell kulmin e teknologjisë në dispozicion të shtetit dhe qytetarit.
Tragjeditë që kemi pasur me shkollat janë të lidhura me shumë arsye, por patjetër që lidhen me faktin që mospasja e pamjeve të qarta e vështirëson punë e policisë. Me këtë sistem perimetër i oborrit është sikur të kishte në të katërt anët e oborrit punonjës policisë.
Një element tjetër është prona. Bëhet shumë më transparente ajo që ndodh me rrugët kombëtare. Policia rrugore ka mbyllur sytë duke lejuar të çahen rrugët, hapen gropa dhe çudira të tjera. Kjo nuk e lejon më dhe me sistemin e administrimit që do sjellin miqtë tanë të shtrenjtë nga Abu Dabi
Asnjë punonjës nuk i mbyll dot sytë, së gjëja nuk mbetet vetëm në sytë e tij”, u shpreh mes të tjerave Rama në fjalën e tij.
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë aktivitetit ku u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e projektit “Smart City”, theksoi se në të gjithë vendin do të instalohen 5000 kamera inteligjente në 20 qytete të vendit.
Sipas ministres, zbatimi i projektit të instalimit të një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente, do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave e mjediseve të tjera publike.
“Ky është vizioni që nis të bëhet realitet nga sot nëpërmjet këtij partneriteti me një konsorcium lider në fushën e inteligjencës artificiale. Dua ta them qartë, sepse e meriton të theksohet: Me nënshkrimin e sotëm, Shqipëria bëhet pjesë e një elite vendesh, që kanë kthyer Inteligjencën Artificiale në shërbim të sigurisë publike. Nuk është aspak rastësi, që sistemet e “Presight” aplikohen në 4 kontinente dhe në 19 shtete, përfshirë 3 nga vendet më të sigurta në glob, siç janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Jordania. Falë punës që nisim sot, Shqipëria do të bëhet vendi i parë në rajon, që do të ketë një sistem të integruar të sigurisë dhe menaxhimit urban, në 20 qytetet më të mëdha dhe në arteriet kryesore”, tha ministrja.



