Progres raporti për Shqipërinë/ BE vlerëson hapat drejt integrimit dhe SPAK, në “skaner” edhe 11 maji


Progres raporti për Shqipërinë/ BE vlerëson hapat drejt

flamuri i be dhe shqiperise

TIRANË- BE ka publikuar progresin raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Raporti vlerëson hapat e ndërmarra në procesin e negociatave nga vendi ynë, luftën kundër korrupsionit dhe zgjedhjet e 11 majit. Në raport, Shqipëria vlerësohet si vend që ka përparuar në hapat drejt integrimit me hapjen e grupeve negociuese dhe në përfitimet e Planit të Rritjes.

“Qeveria miratoi Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2025-2027. Puna vazhdoi për zhvillimin e Programit Kombëtar për Anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili synon të përafrojë kuadrin rregullator vendas me acquis të BE-së dhe të sigurojë zbatimin e tij efektiv. Komunikimi mbi integrimin evropian është përqendruar në hapjen e grupeve negociuese dhe në përfitimet e Planit të Rritjes. Duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme për të siguruar transparencën dhe përfshirjen e publikut në procesin e reformave që lidhen me BE-në.”, thuhet ndër të tjera në raport.

Lufta kundër korrupsionit është një tjetër çështje me interes, ku sipas raportit, Shqipëria ka bërë progres. Më tej, nënvizohet edhe roli i SPAK që ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë.

Ndër të tjera në raport theksohet se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, ndërsa nëvijëzohet roli i SPAK në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimet për raste korrupsioni të nivelit të lartë, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të lartë. Megjithatë, raporti thekson se, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm.

“Shqipëria është në një nivel përgatitjeje të moderuar dhe ka treguar përparim. Është miratuar Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030. Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, ndërsa bashkërendimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Mangësitë në transparencën dhe efektivitetin e kontrollit të deklarimeve të pasurive duhet të adresohen”, thuhet veç të tjerash në raport.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, raporti thekson se ato u zhvilluan në një klimë të thellë polarizimi dhe kandidatët nuk gëzonin kushte të barabarta. Sipas raportit, përdorimi i votimit nga jashtë u menaxhua mirë dhe u konsiderua një arritje elektorale e rëndësishme.

“Konkluzionet paraprake të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR treguan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të organizuara në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe kandidatët nuk gëzonin kushte të barabarta. Megjithatë, kandidatët patën përgjithësisht mundësi të zhvillonin fushatën lirshëm. Futja e votimit nga jashtë vendit u menaxhua mirë dhe u vlerësua gjerësisht si një zhvillim historik në procesin zgjedhor. Kodi Zgjedhor u ndryshua në korrik 2024 dhe në shkurt 2025, duke reflektuar pjesërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe u zbatua në zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Ndryshimet mundësuan votimin nga jashtë vendit, ndryshuan sistemin e votës preferenciale, rritën kufijtë e shpenzimeve elektorale, modifikuan afatet zgjedhore dhe rregulluan kohën televizive për kandidatët. Megjithatë, nevojiten ende ndryshime të tjera për të adresuar rekomandimet e paplotësuara të OSBE/ODIHR dhe për t’u përafruar plotësisht me standardet demokratike.”, thuhet në raport.

Poll



Source link

Scroll to Top