PROCESI/ Përfundon votimi në 5 bashkitë e vendit, Vlora mbyllet me pjesëmarrje tejet të ulët 


PROCESI/ Përfundon votimi në 5 bashkitë e vendit, Vlora mbyllet

Brunilda Mersini, kandidate e PS ne Vlore

TIRANE- Sot në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashki, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë, ku në total 13 kandidatë garuan për drejtimin e tyre. Procesi u zhvillua pa fushata të zakonshme elektorale, pasi as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike nuk organizuan mitingje apo takime të mëdha publike.

Megjithatë, dita e votimit u shënua nga një pjesëmarrje mjaft e ulët. Nga mbi 334 mijë zgjedhës me të drejtë vote, deri në orën 17:00 kishin votuar vetëm rreth 30 mijë qytetarë, që përbëjnë 18.2% të totalit, sipas të dhënave të KQZ-së. Më e larta pjesëmarrje u regjistrua në Mat, me gati 40%, ndërsa më e ulëta në Vlorë, me vetëm 12.6%. Në bashkitë e tjera, shifrat ishin: Tepelenë 33.16%, Cërrik 24.94% dhe Berat 18.91%.

Për herë të parë, KQZ publikoi edhe statistika të detajuara sipas grupmoshave, nga të cilat rezultoi se më aktivët ishin votuesit mbi 65 vjeç, ndërsa të rinjtë treguan interes minimal.

Procesi i votimit në përgjithësi u zhvillua qetësisht, me disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave. Rreth 19% e tyre u hapën disa minuta më vonë, dhe në disa raste u raportua mungesë e përkohshme e komisionerëve të PD-së. Megjithatë, situatat u zgjidhën dhe në të gjitha qendrat u përdor identifikimi elektronik.

Në Mat, deputetja demokrate Denisa Vata ngriti pretendime për presion ndaj votuesve, por kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se verifikimet nuk zbuluan shkelje apo ankesa nga partitë politike. Edhe në Cërrik, policia mohoi akuzat e kandidatit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima, për intimidim të votuesve.

Një incident i vetëm u raportua në Cërrik, ku një grua në pamundësi për të votuar vetë kërkoi ndihmën e bashkëshortit, çka u interpretua nga një vëzhgues si votim familjar. Rasti u referua në KQZ, por procesi nuk u ndërpre.

Risi e këtyre zgjedhjeve ishte testimi për herë të parë i inteligjencës artificiale në numërimin e votave në Tepelenë, me rezultatet që do të publikohen online dhe do të krahasohen me numërimin manual.

Në këtë proces, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe aleatët e saj nuk kishin kandidatë zyrtarë, por mbështetën disa garues të pavarur që përballen me kandidatët socialistë dhe disa të tjerë të pavarur.

Kryebashkiakët që do të zgjidhen sot do të kenë një mandat të shkurtër, vetëm një vit e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës lokale, të planifikuara për pranverën e vitit 2027./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top