Dita e parë e fundjavës së Çmimit të Madh të Las Vegasit në Formula 1 u mbyll nën shenjën e liderit të kampionatit, Lando Norrisit. Pas dominimit nga Sharl Lëklerk në sesionin e parë të lirë, në të dytin britaniku i MekLarenit regjistroi kohën më të mirë. Norris konfirmoi ambiciet e tij duke përmbyllur xhiron më të shpejtë me 1:33.602. Pas tij u renditën Andrea Kimi Antoneli me Mercedesin, vetëm 29 mijtat më ngadalë, dhe Sharl Lëklrk me Ferrarin.

Sesioni u komprometua pjesërisht rreth tre të katërtave të zhvillimit të tij për shkak të dy flamujve të kuq të njëpasnjëshëm, të shkaktuar nga nevoja për të fiksuar një kapak pusete në sektorin e fundit të pistës, me gjasë i zhvendosur nga kalimi i makinave. Një episod i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2023, kur Karlos Sainz u detyrua të tërhiqej pas dëmtimeve të rënda në Ferrarin e tij pas një goditjeje të fortë. Ndërprerjet, si edhe kushtet e pistës, shumë të rrëshqitshme nga natyra dhe edhe më tepër pas disa pikave shiu, i penguan skuadrat të përfundonin punën e rregullimeve dhe veçanërisht, testimin e gomës së butë që do të përdoret në kualifikime.
Top-5 u plotësua nga Nico Hulkenberg me Sauber (+0.277) dhe Isak Haxhar me Racing Bulls, vetëm 291 mijtat pas Norrisit. Piloti franko-algjerian la pas shokun e skuadrës, Liam Louson, i ndjekur në renditje nga Xhorxh Rasëll, Aleksandër Albon dhe Maks Vershtapen, i cili nuk arriti të kompletonte një sulm të vërtetë kohe. Pozicioni i dhjetë i tabelës i takoi Luis Hamilton, Ferrarit tjetër, me një diferencë prej 525 mijëtash nga Norris.
Ndërkohë, shoku i skuadrës së liderit, dhe ndjekësi i tij i drejtpërdrejtë në kampionat me ?24 pikë, Oskar Piastri, nuk shkoi më shumë se koha e 14-të, gati një sekondë prapa (?0.891), duke konfirmuar momentin e vështirë që vazhdon që prej fundit të verës. Fundjava e Las Vegasit ka vijuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës me provat e treta të lira dhe me kualifikueset, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 05:00 të mëngjesit. Kujtojmë që kanë mbetur gjithsej 3 gara deri në përfundim të Botërorit 2025 të F1: Las Vegasi, Katari dhe Abu Dabi. Në Katar do të jetë edhe Sprinti i fundit sezonal i kampionatit.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL








