Pas një fitoreje të rëndësishme dhe të vuajtur kundër Torinos, presidenti i Milanit, Paolo Skaroni, ka zgjedhur t’i dërgojë një mesazh të qartë dhe optimist gjithë ambientit kuqezi. Në një intervistë të dhënë për “Class CNBC, ai ka folur si për objektivat e klubit, ashtu edhe për ndikimin e trajnerit Masimiliano Alegri në këtë fazë delikate të sezonit.

Skaroni u paraqit i qetë dhe i bindur për rrugën që duhet të ndjekë Milani: “Pas një ndeshjeje të vështirë si ajo kundër Torinos, unë shikoj përpara me optimizëm. Jemi plot shpresë dhe energji pozitive, sepse e dimë se çfarë duhet të arrijmë. Qëllimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm: të jemi në Champions League vitin e ardhshëm.”
Presidenti kuqezi nuk e fshehu se Champions League nuk është thjesht synim sportiv, por një detyrim historik dhe identitar: “Milani duhet të jetë gjithmonë në Champions. Ne jemi një klub global, me rreth 400 milionë tifozë në mbarë botën. Duhet të qëndrojmë në skenën më të madhe të futbollit ndërkombëtar, sepse aty është vendi ynë natyral.”
Në vijim të intervistës, Skaroni u ndal tek figura e Masimiliano Alegri-t, i rikthyer këtë sezon në pankinën kuqezi dhe tashmë një pikë stabiliteti për gjithë mjedisin milanist. Sipas presidentit, përvoja e trajnerit është një aset i jashtëzakonshëm: “Mendoj se të kesh një trajner ekspert, kompetent dhe me përvojë të madhe është thelbësore. Alegri ka kaluar shumë situata në karrierë, di si t’i lexojë momentet dhe, mbi të gjitha, di të transmetojë qetësi.”
Skaroni theksoi se aspekti emocional ka një peshë të madhe në një sezon të ngarkuar me pritshmëri dhe presion: “Ajo që më pëlqen tek Alegri është mënyra se si ai arrin të krijojë një ambient të shëndetshëm emocional. Ai përballet me çdo sfidë me maturi dhe optimizëm, dhe kjo atmosferë nuk ndikon vetëm tek unë, por edhe te lojtarët dhe stafi.
Jam i bindur se kjo qetësi që ai reflekton është një nga armët tona më të forta.” Intervista e Skaroni-t vjen në një moment ku Milani kërkon stabilitet, rezultate dhe një kthesë të fortë drejt objektivit kryesor: rikthimin në elitën e futbollit europian. Mesazhi i presidentit është i qartë: me qetësi, besim dhe drejtim të duhur, kuqezinjtë kanë të gjitha mundësitë për të rikthyer lavdinë e tyre në Champions League.
PANORAMASPORT.AL








