TIRANË-Debate, festë dhe protestë…ky është 11 dhjetori i politikës shqiptare sot!
Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon sot seancën plenare, ku pritet të miratohet projektbuxheti i vitit 2026 me një vlerë rekord prej 8.8 miliardë euro, së bashku me paketën fiskale që përfshin tetë projektligje. Seanca është shënjuar sërish nga debatet PD-PS, ku shkak u bë opozita e cila ka tërhequr firmat nga kandidatët për Avokatin e Popullit. Mazhoranca kërkon që Avokati i POpullit të zgjidhet sot, ndërsa demokratët shprehen se nuk ka kanidatura të mbështetura nga opozita.
Por e enjtja nuk është vetëm e Kuvendit!
Prej tre ditësh tashmë, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vazhdon protestën e tij përpara godinës së Kryeministrisë. Lapaj shprehet i vendosur për të vazhduar qëndresën, duke theksuar se qëndrestarët dalin gjithmonë fitimtarë. Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’ u ka bërë thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar në qëndresë, pasi vetëm ashtu do t’i detyrojnë të dorëhiqen. Lapaj është shpehur se protesta e tij do të jetë pa ndalim.
Protestat vijojnë jo vetëm me Lapajn!
Nga krahu tjetër, partia ‘Lëvizja Bashkë’ me në krye Arlind Qorin është vendosur përpara Kuvendit të Shqipërisë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si dhe për të kundërshtuar buxhetin që pritet të miratohet këtë seancë plenare. ‘Lëvizja Bashkë’ kërkon jo vetëm dorëheqjen e Ramës, por dhe të zv.kryeministres së pezulluar Belinda Balluku.
Megjithatë mes pakënaqësive dhe debateve në seancën plenare, festa ka filluar për Partinë Demokratike.
Partia Demokratike ka zhvilluar një ceremoni festive me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj. Më 11 dhjetor 1990 u krijua Partia Demokratike nga një grup studentësh dhe intelekualësh shqiptarë të cilët zgjodhën si Kryetar të Komisionit Nismëtar studentin Azem Hajdari dhe më pas si Kryetar të Partisë, Sali Berishën. Ceremonia po zhvillohet pranë selisë qendrore të PD-së me prezencën e kreut të PD, Sali Berisha dhe opozitarëve. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu nderim dhe mirënjohje për ish-figurat e Partisë Demokratike, të cilën e cilësoi si partinë më të jashtëzakonshme.
Teksa protestat dhe debatet vijojnë…mbyllja i takon Kuvendit me projektbuxhetin që pritet të miratohet./ZËRI



