TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Pas dekretit, avokatët e Erion Veliajt bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
VENDOSI: Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Çfarë ndodhi
Shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, por lëvizja e tij nga qelia ka ‘bllokuar’ postin për kryetar bashkie.
Veliaj kundërshtoi shkarkimin nga detyra e kryetait të Bashkisë së Tiranës, në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve). Më tej Veliaj kundërshoti edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, për zgjedhjet e nëntorit.
Ankimimet e tij bllokojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës, ku sot Gjykata doli me një vendim. Por pa pritur një vendim të Kushtetueses, partitë u bënë gati për të hyrë në garë.
Tashmë PS-ja ka emëruar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare në Bashkinë e Tiranës dhe organizatore të fushatës, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike vendosi që të mbështesë kandidatin e pavarur, Florjan Binaj. Nga ‘Lëvizja Bashkë’ në garë hyri Arlind Qori. Por me vendimin e Gjykatës, kandidatët dhe partitë do të duhet të presin 31 tetorit për të nisur fushatën. Deri në fund të muajit gjithçka është pezull./ZËRI





