TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar padi ndaj kryeministrit Edi Rama për mashtrim publik. Në konferencë për mediat, Berisha paralajmëroi se do ta padisë kryeministrin lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut, pasi sipas kryedemokratit, ka shpërndarë dezinformacione duke pretenduar se Komisioni i Venecias e mbështet qëndrimin e tij.
Berisha tha se pretendimet e Ramës nuk kanë asnjë dokument apo shkresë zyrtare për ta mbështetur, ndërsa bëri me dije se padia do të dorëzohet që nesër. Sipas Berishës, kjo është një formë presioni nga ana e Ramës për Gjykatën Kushtetuese.
“Dita e djeshme shënoi një akt të pashembullt multidimensional në historinë e Shqipërisë dhe Evropës. Dje Edi Rama mori përsipër presionin e jashtëzakonshëm mbi GJK, presion të hapur të dënuar me ligj në cdo vend, për të mbrojtur veten e tij dhe Belindën, pas shpinës së të cilës ka ngrenë vetë dardha dhe kumbulla të prishura. Rama mashtroi në mënyrë të paskrupullt, mashtroi shqiptarët dhe Evropën. Sipas tij, Komisioni i Venecias nuk pranon apo është kundër pezullimit të ministrave. Krahas Komisionit të Venecias, ai rreshton GJEDNJ, që është gjykata garantë e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Le të marrim sulmin e paskrupullt, e pashembullt ndaj GJK dhe sistemit evropian të drejtësisë, Komisionit të Venecias. PD do të bëjë një padi për mashtrim publik ndaj Edi Ramës. Ai do paditet që nesër për mashtrim publik para qytetarëve për këto që thotë. Nuk ka asnjë dokument të Venecias, që pezullimi i ministrit është shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.”, tha Berisha.
Një ditë më parë, kryeministri Rama komentoi çështjen “Balluku”, teksa tha se tashmë është në dorë të Gjykatës Kushtetuse që t’i japë drejtim. Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, Rama citoi Komisionin e Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut, sipas të cilave, gjykatat nuk mund të pezullojnë anëtarë të kabinetit të qeverisë. Kjo deklaratë e kryeministrit ka ngjallur reagim nga kampi opozitar, të cilët e kundërshtojnë diçka të tillë, për me tepër që sipas tyre nuk ekziton një dokument zyrtar për të mbështetur pretendimet./ZËRI




