TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij ‘Flasim’ ka reaguar sërish lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Rama u shpreh se ditën e nesërme, bashkë me kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe Ulsi Manjën, do të depozitojnë nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e Ballukut.
Kreu i qeverisë theksoi se çështja ka të bëjë me parimin e ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese. Sipas tij pezullimi nuk prek vetëm personin por edhe fuksionin.
Edi Rama: Dua të ndalem edhe për një sqarim të nevojshëm lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar këtë javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse përsëri, si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstract, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese, që të thotë: një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk që është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo.
Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet. Pra, faktikisht nëse ti thua që “unë pezulloj një minister”, “unë pezulloj Presidentin e Republikës”, “unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni. Gjithsesi ne do kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën, bashkë me kryetarin e grupit Taulant Balla dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do i paraqitet fillimisht grupit parlamentar dhe do të jetë transparente për opinionin publik.
ZËRI paralajmëroi më herët se ndërhyrja ligjore do të kërkohet për nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve. Raportohet se masa e pezullimit do të shtrihet edhe tek anëtarët e qeverisë, Presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë. Nëse në nenin aktual thuhet që masa e pezullimit nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, në nenin që do të propozohet parashikohet që masa e pezullimit të mos zbatohet as për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.
Ndërhyrja u paralajmërua nga kryeministri lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
Nga ana tjetër SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend./ZËRI




