Pezullimi i Ballukut! Rama dorëzon sot ndryshimet në ligj


Pezullimi i Ballukut! Rama dorëzon sot ndryshimet në ligj

Edi Rama-Belinda Balluku

TIRANË-Sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, bashkë me Taulant Ballën dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën do të dorëzojë nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

ZËRI paralajmëroi më herët se ndërhyrja ligjore do të kërkohet për nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve. Raportohet se masa e pezullimit do të shtrihet edhe tek anëtarët e qeverisë, Presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë. Nëse në nenin aktual thuhet që masa e pezullimit nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, në nenin që do të propozohet parashikohet që masa e pezullimit të mos zbatohet as për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Ndërhyrja u paralajmërua nga kryeministri lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim. 

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.  Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).

Nga ana tjetër SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top