Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka dërguar një mesazh mirëseardhjeje për të gjithë pjesëmarrësit dhe folësit e samitit global PowerToHR, i cili do të mbahet në AMC Hall, në Prishtinë më 6 dhe 7 maj.

Në fjalën e tij, Rama ka vlerësuar rëndësinë e këtij samiti për kryeqytetin, duke e cilësuar si një mundësi për shkëmbim idesh, përvojash dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e burimeve njerëzore. Ai e përshkroi Prishtinën si një qytet të vogël në përmasa, por të madh në energji, ide dhe ambicie, ku tradita ndërthuret me inovacionin dhe ku diskutimet shndërrohen në veprime konkrete.


Sipas tij, ngjarje si PowerToHR kanë rol kyç në ndërtimin e së ardhmes, duke theksuar se e ardhmja nuk është diçka që pritet, por diçka që ndërtohet së bashku.

Në PowerToHR 4, ju do të sillni njohuri, perspektivë dhe përvojë nga industri dhe vende të ndryshme. Dhe këtu në Prishtinë, këto ide do të takohen me një qytet të gatshëm për dialog, bashkëpunim dhe atë që e pason”, ka thënë ai në një videomesazh.

Rama gjithashtu ftoi pjesëmarrësit që, përveç angazhimeve në kuadër të samitit, të eksplorojnë qytetin, të përjetojnë energjinë e tij dhe të bëhen pjesë e historisë së Prishtinës.

“E ardhmja është tani. Dhe së bashku, ju do ta formësoni atë,” thuhet ndër të tjera në mesazhin e tij, duke përmbyllur me urimin: “Mirë se vini në Prishtinë. Mirë se vini në PowerToHR.”

PowerToHR krijon mundësi të fuqishme për rrjetëzim profesional, duke mbledhur mbi 1,300 pjesëmarrës nga më shumë se 600 kompani. Ky event i vendos pjesëmarrësit në kontakt të drejtpërdrejtë me vendimmarrës, ekspertë dhe organizata që po formësojnë të ardhmen e punës në rajon. Përmes këtyre ndërveprimeve, PowerToHR shndërrohet në një pikë takimi ku idetë shkëmbehen dhe partneritetet lindin natyrshëm.

Këtë vit, PowerToHR mbledh një audiencë të gjerë prej mbi 1,300 profesionistësh nga Kosova dhe rajoni, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.

Në mesin e pjesëmarrësve dhe folësve janë përfaqësues nga kompani dhe organizata ndërkombëtare si LinkedIn, OpenAI, Bosch, Viber, Disney, Meta, Google, Microsoft dhe Zoom, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rëndësishme të fushës së burimeve njerëzore në Evropën Juglindore.

Biletën për këtë samit mund ta siguroni këtu: https://www.powertohr.com/ticket