TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka kërkuar që qeveria të shpallë me urgjencë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë mijëra familjeve që po përjetojnë pasojat e motit të keq. Berisha tha se vetëm në Durrës llogariten që të jenë prekur nga përmbytjet 4 mijë banesa e objekte, ndërkohë që akuzoi kryeministrin Edi Rama, se po tallet me këtë gjendje, duke qëndruar indiferent.
“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme. Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.
Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore.
Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete. Në 4 muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë. Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.
Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë. Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë. Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet”, u shpreh Berisha, teksa denoncoi më tej dhe gjendjen në akset rrugore.
“Natyrisht kur përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 përqind të investimit, siç ndodh me Lubi Ballukun dhe Edi Ramën në tenderat e infrastrukturës, kur ndërton rrugë të florinjta që shemben tre muaj pas inaugurimit nga 73 milionë euro në 360 milionë, si rruga Qukës-Qafë Plloçë e cila edhe sot është shembur, dhe do shembet vazhdimisht sepse skarpatet janë lënë natyrore, pa asnjë lloj përforcimi.
Unë duhet t’u them qytetarëve se përforcimi i skarpatës është kushti i të gjitha kushteve në ndërtimin e rrugëve. Skarpata më e rrezikshme në Shqipëri është skarpata Kardhiq-Tepelenë, por kompania që e ka ndërtuar dhe supervizori kanë punuar ndoshta edhe dy vite vetëm me skarpatën, e cila është gjeologjikisht më e dëmtueshmja.
Por nuk ka lëvizur një gurë sepse skarpatat janë pjesë kryesore e rrugës.
Kurse këta kanë shtruar asfaltin dhe i kanë lënë siç i kanë hapur dhe tani derdhen mbi rrugë.
Pra, gjendja është jashtëzakonisht e rëndë.
Java përsëri nuk premton qetësim të motit.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha rrethet e përmbytura, nga Shkodra gjer në Gjirokastër, është domosdoshmëri.
Natyrisht nuk e bën këtë se ai buxhetin e konsideron si pronë të tij dhe familjes së tij”, vijoi denoncimin e tij Berisha. Prej ditës së djeshme mijëra qytetarë janë prekur si pasojë e përmbytjeve në mbarë vendit, ndërkohë që moti i keq pritet që të vijojë edhe në fundjavë, ku temperaturat do të ulen ndjeshëm. /ZËRI



