TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, do të mbledhë ditën e nesërme Komitetin e Emergjencave. Mbledhja pritet të nisë në orën 08:30, ku pritet të adresohen problematikat dhe bilanci i përmbytjeve dhe do të diskutohet në lidhje me masat për të përballuar situatën. Burime bëjnë me dije se kryeministri Rama do të dalë në një deklaratë nga godina e qeverisë, ku do të adresojë paketën e masave dhe të dëmshpërblimeve për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Mësohet se mbledhje priten që të jenë Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Financave, Energjia, Infrastruktura, Bujqësia si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, të cilat do të angazhohen në hartimin masave dhe paketës së dëmshpërblimit, nga e cila do të përfitojnë familjarët, bizneset dhe fermerët që u janë prekur tokat bujqësore.
Një situatë alarmante ka përfshirë Shqipërinë tashmë prej 3 ditësh, për shkak të përmbytjeve si pasojë e motit të keq. Përmbytje masive dhe kaotike janë regjistruar pothuajse në të gjithë vendin. Qarqet më problematike mbeten Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati dhe Gjirokastra. Fatkeqësisht, nga përmbytjet në Durrës është regjistruar edhe viktima e parë.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, autoritetet kanë urdhëruar evakuimi për banorët në Novoselë, Vlorë e Fier si dhe në Sukth dhe Katund të Ri në Durrës./ZËRI






