POGRADEC- Oligert Muçllari është zgjedhur kreu i degës së Partisë Demokratike në Pogradec. Muçllari fitoi garën përballë Kasëm Gallës. Bëhet me dije se kryetari i ri i degës së PD-së ka marrë 247 vota, ndërsa Galla 224. Po ashtu, gjatë procesit të numërimit të votave 6 prej tyre kanë rezultuar të pavlefshme.
“Falenderoj të gjithë anëtarët e PD në Pogradec për vlerësimin dhe privilegjin që më dhanë për drejtimin e degës së Pogradecit, por edhe për përgjegjësinë e madhe që na pret në të ardhmen. Unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Pogradecit. Ishte një proces dhe një garë dinjitoze. Kam vlerësim maksimal edhe për mikun tim, Kasëm Galla, me të cilin ishim në garë. Me dëshirë dhe angazhim të madh, shpresoj që ne si degë e PD të çojmë përpara misionin tonë, duke e rikthyer bashkinë nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e qeverisur me dinjitet, ashtu siç u takon qytetarëve të Pogradecit”, u shpreh Muçllari.
Me profesion ekonomist, Muçllari kandidoi për herë të parë për drejtimin e degës së PD-së në Pogradec./ZËRI



