TIRANË– Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur kundështarëve të tij politikë, që ditën e sotme kërkuan shkarkimin e presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Balla tha se nuk do të ketë asnjë iniciativë për shkarkimin e presidentit, dhe veprimtaria e tij mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
“Presidenti i Republikës, nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do shkarkohet, madje nuk do ngrihet asnjë Komision Hetimor. Në vlerësimin tim presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje. Më thanë që kanë bërë kërkesë gati për shkarkimin e zotit Pëllumb Pilinci”, tha Balla.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj, pasi sipas tyre ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin në 7 raste. Kreu i gupit të PD-së Gazment Bardhi, tha se Begaj ka marrë kompetenca që nuk i takojnë në rastin e dekretimit të zgjedhjeve lokale për Bashkinë e Tiranës, ndërsa rezulton sipas tyre i dypunësuar.
Sipas Bardhit, Begaj punon në një klinikë private si mjek, ndërsa djali i tij edhe pse studion jashtë vendit, rezulton i punësuar në një kompani private, e cila merr tendera nga presidenca. Po ashtu sipas PD, Begaj ka shkelur Kushtetutën në rastin e dekretimit të ministres virtuale Diella. Kërkesa e PD është dorëzuar në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh.
Sipas PD, veprimet e Presidentit kanë krijuar sipas tij një ngërç kushtetues, duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit dhe duke shkelur ekuilibrin midis pushteteve:
“Futja në ngërç e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës;
Marrja e kompetencave të gjyqësorit dhe përdorimi i juridiksionit në mënyrë të drejtpërdrejtë;
Shfaqja e anësisë dhe leja e ushtrimit të pushteteve jashtë kompetencave kushtetuese;
Ndërhyrja në autonominë kushtetuese dhe uzurpimi i kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”. /ZËRI




