TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të ish-Presidentit Ilir Meta, avokatët Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima, kanë mbajtur sot një konferencë për mediat. Cakrani dhe Zhvllima bënë publike një analizë financiare të Metës që prej 1995 deri në vitin 2023.
Mbrojtja e tij ngriti shqetësimin në lidhje me akuzat ndaj ish-presidentit, me pretendimin se po mbahet në paraburgim në shkelje të çdo standarti dhe ligji. Sipas avokatit Cakrani, Meta ndodhet në izolim total, pasi nuk i jepet mundësia të komunikojë as me qytetarët dhe kolegët. Cakrani thekson se ndaj Metës është hedhur baltë sa i përket akzuave për pasurinë, duke pretenduar se pasuria e tij është zero.
“Meta ndodhet në një izolim total. Atij nuk i jepet mundësia që të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët. Gjithsesi kjo është ana politike. Problemi është që hetimet kanë përfunduar që në 4 gusht të vitit 2025. Ndërkohë Meta ndodhet ende në seancë paraprake. Jemi plotë 4 muaj e gjysmë dhe nuk kemi nisur seancën paraprake. Është një shkelje shumë e rëndë e ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Drejtësia është kthyer në një drejtësi inkuizitore. Ilir Metën e sulmuan nga të gjitha anët, e bënë edhe spiun të sigurimit të shtetit, por nuk ja dolën dot. Pastaj e burgosën. Ne kërkojmë standardin minimal të një shteti të së drejtës. Balta që është hedhur mbi Metën ka qenë mbi pasurinë e tij, sepse llumi s’kanë lënë gjë të dirigjuar ndaj Metës. Por faktet dhe provat na flasin ndryshe. Tani na ngelet t’u themi njerëzve se ai ministri juaj Ilir Meta, ka qenë vetëm një patriot i ndershëm”, tha Cakrani.
Ndërkohë, përmes një letre të lexuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, Meta ka përgënjeshtruar akuzat e ngritura ndaj tij, teksa shprehet se nuk është i përfshirë në asnjë aferë korruptive. Sipas Metës, në asnjërën prej çështjeve që lidhen me akuzat e SPAK, nuk përmendet emri i tij.
Sa i përket akuzave për pasurinë, Meta i cilësoi të pavërteta. Lidhur me këtë, Meta shprehet se vajza e tij ka siguruar një analizë financiare, ku përllogariten të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që nga viti 1995 deri në vitin 2023, që rezultojnë në një total prej rreth 87 milionë lekë të reja.
“Lidhur me akuzat Cez-Dia dua të theksoj se kjo çështje është hetuar dy herë dhe asnjëherë nuk është përmendur emri im aty. Po kështu çështja Cez-Dia është e vetmja çështje ku shteti shqiptar nuk ka dalë me humbje, por me fitim, pasi dëmi për shtetin shqiptar ka qenë rreth 1 milionë euro, ndërkohë që shtetasit Kastriot Ismaili i janë sekuestruar 4 milionë euro në vitin 2014. Po kështu, dëshmitë e z.Hesek në Prokurorinë e Tiranës janë tregojnë qartë sesi është përzgjedhur DIA. Po kështu janë të qarta edhe referencat amerikane që ka paraqitur DIA, për të fituar besimin e bordit.
Lidhur me akuzën për lobimet dua t’ju siguroj se nuk ekziston asnjë provë apo fakt që Ilir Meta të ketë shkelur ligjin shqiptar apo amerikan. Ne do të publikojmë kontratën dhe letëporositë, për të zbuluar të vërtetën.
Lidhur me çështjen e pasurisë, dua të theksoj se akuzat e prokurorëve janë të pavërteta dhe të bazuara në falsifikim. Vajza ka siguruar ekspertizën financiare që vërteton se pasuritë e mia gjatë këtyre viteve (1995-2023) janë 87 milionë lekë të reja. Ky hetim ndaj meje ka rezultat të qartë, 0 qindarkë e paligjshme nga unë dhe 0 metër katror e paligjshme. Nëse keni dyshime, mund të vini t’ju jap sqarime në burgun 313. Edhe në Rusi lejohet që të intervisohen politikanët e burgosur, prandaj nuk përbën asnjë lloj problem”, thuhej në letrën e Metës, të lexuar nga Blushi.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI



