TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se qeveria do të ofrojë ndihmë për bashkitë e prekura nga përmbytjet e fundit që shkaktuan dëme të konsiderueshme. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Vengu u shpreh se ndihmë do t’u jepet kryesisht bashkive më të vogla, teksa shtoi se, në dispozicion është një buxhet domethënës për çdo bashki në funksion të digave dhe pritave themelore.
Ministri shtoi se po ndihma po jepet në dy drejtime, si nga fondet e emergjencës civile që po rriten ndjeshëm, dhe nga investimet në infrastrukturë.
“Riparimet e argjinaturave po vijojnë, dhe nga ana tjetër kemi nisur punën e rehabilimit me disa bashki të vendit. Kemi një buxhet domethënës për cdo bashki në funksion të digave, pritave themelore.
Nuk ngremë gishtin e akuzës, është një zinxhir reagimi i njëjtë me të gjitha vendet e BE. Po ndihmojmë bashkitë në dy drejtime, fondet e emergjencave civile po rriten ndjeshëm, bashkitë e vogla do marrin më shumë fonde, do rrisim edhe rrogat e personelit. E dyta, janë elementët e infrastrukturës, investime duke mos pranuar asnjë devijim nga objekte pa leje. Rinovimi i flotës së mjeteve tokësore, dhe investimi për 2 qendra rajonale nga katër që parashikohen, një në veri dhe një në jug.” -shtoi Vengu.”, tha Vengu.
Më herët, ministria e Mbrojtjes publikoi hartën e ndarjes së fondeve të dëmshpërblimeve për bashkitë e prekura nga zjarret e verës. Bëhet fjalë për një fond mbi 345 milionë lekë dëmshpërblim për 15 bashki, ku Kruja ka marrë shumë më të madhe, ndërsa Hasi ka pasur përfitimin më të vogël./ZËRI




