TIRANË– Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 17 dhjetor për shqyrtimin e ankimit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili kërkon që të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën vendimi i shtatorit dhe dhjetorit të 2024 që e la në arrest në shtëpi.
Në këtë gjykatë, Berisha kërkon të shfuqizojë si antikushtetues vendimet gjyqësore për lënien e tij në masën e “arrestit në shtëpi”.
Shqyrtimi i ankimit do të bëhet mbi bazë dokumentesh, pa praninë e ish-kryeministrit, njësoj si procedura që do të ndiqet dhe për ish-presidentin Ilir Meta.
Nga rastet e fundit që lidhen me politikanët, e vetmja seancë që ka qenë publike është ajo për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzonte shkarkimin nga Këshilli i Ministrave.
Më 21 Tetor 2023, Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, arrestoi fillimisht Jamarbër Malltezin, ndërsa për Sali Berishën caktoi detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për të mos dalë jashtë vendit.
Por më pas, për shkak se Berisha nuk respektoi detyrimin për t’u paraqitur, SPAK kërkoi masë arrest shtëpi për ish-Kryeministrin, kërkesë që u vendos nga GJKKO. Në nëntor të vitit 2024, GJKKO i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak” duke e lënë vetëm në detyrim paraqitjeje.
Kujtojmë se Berisha është marrë i pandehur për dosjen “Partizani”. Bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Berisha dhe Malltezi i kanë mohuar akuzat dhe pretendojnë se procesi ka motive politike./ZËRI



