TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e nesërme një takim me drejtuesit e njësive administrative të Tiranës. Mësohet se mbledhja do të mbahet në orën 09:00. Po ashtu, ditën e sotme Rama mblodhi deputetët e qarkut të Tiranës në selinë e Partisë Socialiste.
Raportohet se në mbledhje kanë qenë edhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen që zgjati rreth 2 orë, burime bëjnë me dije se fokusi ka qenë kryesisht organizimi i partisë dhe detyrat e Bashkisë Tiranë. Mësohet se kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve që të angazhohen më shumë në terren dhe të afrojnë më shumë njerëz pranë PS-së, në mënyrë që të kuptojnë shqetësimet e tyre.
Takimi i Ramës me socialistët në selinë rozë, vjen një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Mëngjesin e së martës, kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti Rama mblodhi Kryesinë, ku u diskutua mbi zgjedhjet brenda partisë, caktimin e datës për Asamblenë e PS-së, si dhe zhvillimet e fundit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe pasojat ekonomike që mund të sjellë te ne./ZËRI




