KOSOVË-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se edhe ajo ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese. Osmani deklaron se ndihet e nderuar dhe shprehet se Amerika i solli paqen Kosovës dhe qëndron si aleat i palëkundur pranë saj.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”,- ka shkruar Osmani.
Organizata Bordi i Paqes ka ftuar udhëheqësit e rreth 60 vendeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë.



