Pas përjashtimeve nga gara për kreun e PD, Berisha mbledh Kryesinë: Anëtarësime të reja, jemi parti e hapur


Pas përjashtimeve nga gara për kreun e PD, Berisha mbledh

sali berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka mbledhur sot Kryesinë e Partisë Demokratike në selinë blu, duke dhënë direktiva për vijimin e aktiviteteve dhe anëtarësimeve të reja në parti. Berisha theksoi rëndësinë e kryengritjes paqësore të datës 8, duke e cilësuar atë si momentin më të fuqishëm të periudhës aktuale. Kreu i PD tha se duhet ngritur grupi i punës për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj, duke thënë se data u zhvendos pasi nuk kishin gjetur sallë.

“Këtë periudhë që na ka mbetur është e domosdoshme që kryengritja paqësore e datës 8 të jetë më e fuqishmja. Jemi në muajin elektoral, zgjedhjet në tërësi kanë ecur, ka pasur probleme në ndonjë vend të cilat po zgjidhen në mënyrë demokratike. Por duhet të ngremë një grup për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Grupet e punës tani duhet të finalizojnë punët e tyre. Duhet të vazhdojmë me përpjekje për anëtarësime të reja, hapje të PD, modernizimin e PD. Këto do jenë drejtimet më themelore tona”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjes për kreun e PD, Berisha theksoi se PD zhvillon gara demokratike. Lideri demokrat deklaroi edhe njëherë se PD është ndër të paktat parti në Europë dhe në botë që e zgjedh kryetarin me votë nga anëtarësia.

“PD ka qenë dhe mbetet parti e hapur ndaj garës më eprore. Partitë që zgjedhin kryetarë me një anëtar një votë nuk janë shumicë, por janë pakicë. Janë një pakicë që po rritet. Kemi instaluar me kohë, jemi dhe do mbetemi parti e garës së lirë, ndershme, por themelore partia e anëtarëve të saj. Të qëndrosh parti e anëtarëve të saj, do të thotë t’iu japësh të drejtë atyre të shprehen dhe do të thotë të votohen ato që mbrojnë interesat dhe jo t’ua caktojë kandidatët dikush tjetër. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.

Mesnatën e 30 prillit skadoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi Komisioni Zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj. Në vendim thuhet se Sela dhe Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë pasi nuk plotësonin kriteret. Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokolari dhe Alesia Balliut u refuzuan./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top