Post Malone dhe ish-e fejuara e tij, Hee Sang “Jamie” Park, kanë zgjidhur zyrtarisht betejën ligjore për kujdestarinë e vajzës së tyre 3-vjeçare. Dokumentet gjyqësore të paraqitura më 13 nëntor në një gjykatë të Utah tregojnë se ish-çifti ka arritur një marrëveshje të plotë, e cila përfshin atësinë, mbështetjen financiare, kujdestarinë, kohën e prindërimit dhe çështje të tjera që lidhen me të miturën, e cila në dokumente identifikohet me inicialet “DDP”.

Çështja nisi në prill, pasi Malone kërkoi që rasti të trajtohej në Utah, shteti ku ai jeton prej vitit 2019 dhe ku, sipas tij, është rritur vajza. Ndërkohë, Park kishte paraqitur një kërkesë të veçantë në Los Angeles duke kërkuar kujdestari të përbashkët ligjore, pasi u zhvendos përkohësisht në Kaliforni pas lindjes së vajzës në vitin 2022.
Malone argumentoi në gjykatë se zhvendosja e Park në Kaliforni ishte e përkohshme dhe se fëmija kishte “lidhje të forta” me Utah, ku kishte një rutinë të stabilizuar, një dado të përhershme dhe aktivitete të rregullta që nga fëmijëria e hershme. Ai gjithashtu deklaroi se kishte ndihmuar financiarisht ish-partneren gjatë zhvendosjes, por nuk kishte pranuar që vajza të zhvendosej në mënyrë të përhershme.
Në kërkesën e tij, ai i kërkoi gjykatës së Kalifornisë të qortonte Park për përpjekjen për ta zhvendosur çështjen në një shtet tjetër, duke e akuzuar për “mungesë ndershmërie”. Përfundimisht, Park pranoi të tërhiqte peticionin e saj në Los Angeles, duke i hapur rrugën procesit në Utah ku u arrit marrëveshja përfundimtare.
Pas ndarjes së tyre, Post Malone u përfol për një lidhje të shkurtër me Kristi Lee, me të cilën u divorcua në qershor. Në shtator, TMZ publikoi foto të këngëtarit me një grua të panjohur, duke ngritur sërish thashetheme për jetën e tij personale.








