SPANJË-Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë në Spanjë. Me ftesë të homologut Pedro Sanchez, kreu i qeverisë do të marrë pjesë në mbledhjen e katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që mbahet në Barcelonë.
Samiti mbledh liderë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi sfidat kryesore të demokracisë në kohët moderne. Në fokus të diskutimeve janë multilateralizmi, rregullimi i hapësirës digjitale dhe lufta kundër dezinformimit. Rama pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me Sanchez, si dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku në qendër do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe proceset integruese evropiane.
Vizita në Barcelonë vjen menjëherë pas ndalesës së tij në Romë, ku u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni./ZËRI



