TIRANË– Sekretari për Diasporën në Partinë Demokratike, Indrit Hoxha u paraqit këtë të martë në SPAK, një ditë pasi në Prokurorinë e Posaçme u mor në pyetje dhe deputeti Belind Këlliçi. Jozyrtarisht mësohet se Hoxha dhe Këlliçi janë thirrur në SPAK, nga prokurori Arben Kraja, i cili ka hapur një hetim pasuror në drejtim të kreut të PD, Sali Berisha, në lidhje me financimin e Kuvendit të Rithemelimit, që është mbajtur prej tij në vitin 2021, kur u vendos dhe shkarkimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë. Vetë SPAK nuk ka pasur një qëndrim publik në lidhje me këtë dosje, ndërsa dhe vetë Këlliçi u tregua i rezervuar për të dhënë informacione gjatë ditës së djeshme, pasi la ambientet e Prokurorisë.
“U thirra për çështje periferike nga prokurori Arben Kraja”, tha deputeti i PD pa dhënë shumë shpjegime, teksa i pyetur nëse është pyetur në lidhje me politikanë, ai e konfirmoi.
“Ju garantoj se çështja që kam qenë sot është krejtësisht periferike në raport me zhvillimet që pritet të vijnë dhe ju garantoj se do të ketë zhvillime shumë interesante”, u shpreh ai. Si Këlliçi ashtu dhe Hoxha kanë qenë pjesë e grupit të Rithemelimit, që më pas u bë dhe grupimi që mori zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi dje se Këlliçi është pyetur mbi mënyrën e organizimit të Kuvendit, burimet e financimit dhe nëse këto janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në kuadër të të njëjtit hetim, pritet që në SPAK të paraqiten edhe deputetët Flamur Noka dhe Albana Vokshi.
Sipas gazetares, SPAK po heton pasurinë e Berishës dhe, në këtë kontekst, hetimet janë zgjeruar edhe drejt aspekteve që lidhen me aktivitetet e Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë nëse ky proces hetimor do të çojë në zhvillime apo rezultate të reja në vijim, ndërsa Berisha është ende duke u gjykuar për dosjen Partizani.



