TIRANË- Propozimi i Edi Ramës në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste për uljen e numrit të deputetevë në sallën e Kuvendit, nga 140 që janë aktualisht në 101, duket se do të bëjë bashkë kokë më kokë dy partitë e mëdha, PS dhe PD.
“Më shumë se 3 dekada pas zgjedhjeve të para pluraliste, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi të disa institucioneve.
Pas 10 legjislaturash dhe më shumë se 1 mijë njerëzish të zgjedhur deputetë, është tepria e numrit të deputetëve, zbritja e deputetëve në të paktën 101 deputetë, është objektiv i yni.”, u shpreh Rama.
Po sa vota duhen për të ndryshuar Kushtetutën?
Dy të tretat!
Neni 177 i Kushtetutës sanksionon që kjo kushtetutë, mund të ndryshohet vetëm me marrëveshje politike të Parlamentit ku duhet të votojnë pro dy të tretat e të gjithë anëtarëve (94 deputetë).
E nëse dy palët bien dakord, këto ndryshime mund të kalojnë lehtësisht, duke iu referuar numrit të deputetëve që ka secila parti, 83 PS dhe PD 50 deputetë.
Edhe pse në seancat plenare apo në komisionet parlamentare vazhdimisht nuk ka dakordësi mes dy forcave të mëdha politike, këtë herë pritet të ketë një shtërngim duarsh.
Propozimi i Ramës për uljen e numrit të deputetëve, për opozitën duket se është një propozim i drejtë. Sali Berisha, përmes një konference për mediat është shprehur se është i gatshëm të ulet në tryezë me kryeministrin Rama për të ndryshuar Kushtetutën, por me një kusht.
Kreu i opozitës propozon që parlamenti aktual të transformohet në një institucion me dy dhoma: një Dhomë Deputetësh dhe një Senat si dhomë e lartë. Ky do të jetë një institucion i ri frenues ndaj shumicës parlamentare.
“Senati është i dobishëm, shumë vende e kanë ka të tjera që se kanë. Shqipëria nëse vendos të ketë senat duhet të pakësojë numrin e deputetëve. Nuk ka asgjë për prekje të kushtetutës aty, por në qoftes e është problemi për të përcaktuar senatin në kushtetutë, jam gati. S’kemi komplekse aty. Besojmë se është institucion i dobishëm. Jo duke rënduar buxhetin e taksapaguesve, por të duke zvogëluar numrin e deputetëve. Reforma vendore nuk ka nevojë për Kushtetutë. Ju siguroj që nuk ka.”, shprehet Berisha.
Berisha shprehet i hapur për ndryshimin e funksionimit të parlamentit, por nuk do të negociojë uljen e numrit të bashkive në vend.
Çfarë ndodh tani pas këtij propozimi?
Partia Demokratike pritet të paraqesë në ditët në vijim detaje të mëtejshme të këtij propozimi për dy dhoma dhe reduktim të deputetëve. Mazhoranca dhe kryeministri Rama do të duhet të shprehin qëndrimin e tyre zyrtar nëse do të pranojnë të diskutojnë në tryezë këtë model të reformës.
A do të kemi një shtrëngim duarsh mes Ramës dhe Berishës si në 2008 ku votuan ndryshme kushtetuese për sistemin zgjedhor? Kjo mbetet për t’u parë!/ZËRI



