TIRANË-Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” nen për nen duke e kaluar në Kuvend për votim. Miratimi i ‘Paqes Fiskale’ nuk kaloi pa debate në Komision ku opozita, konkretisht deputeti Eno Bozdo kërkoi përjashtimin e sektorit të ndërtimit, pasi është i vështirë për t’u kontrolluar nga administrata tatimore dhe përfshirja e tij do të krijonte hapësira për abuzim dhe pastrim parash.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, refuzoi amendimin e propozuar, duke theksuar se marrëveshja synon formalizimin e gjithë ekonomisë, pa përjashtime sektoriale. Sipas tij, ndërtimi mbetet një ndër sektorët me peshën më të konsiderueshme në ekonominë shqiptare.
Ndërkohë edhe deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi që të vendosen kritere kontrolli në bashkëpunim me Inteligjencën Financiare, që të mos jenë përfitues të kësaj ‘Paqeje’ bizneset e hetuara apo të dyshuara për pastrim parash. Sipas tij, këto subjekte duhet të hyjnë në marrëveshje vetëm pasi të kenë dorëzuar raportin e verifikimit të thelluar të burimit të pasurisë.
“Subjektet me nivel të lartë rreziku për pastrim parash përfshihen në marrëveshje vetëm pas hetimit të thelluar të burimit të pasurisë. Marrëveshja nuk zbatohet për subjekte të Agjencia e Inteligjencës Financiare, përveç rasteve kur Agjencia e Inteligjencës Financiare e mbyll hetimin pa gjetje. Çfarë verifikimi do të bëni ndaj bizneseve? Masat e parashikuara janë të pamjaftueshme për të ndaluar pastrimin e parave. Tatimpaguesi duhet të sjellë letra sesi e ka rritur fitimit ai me 18% kur për vite me radhë ka deklaruar 3%. Pra si do ta rrisë ai fitimin, pa justifikuar burimin. Një fitim i deklaruar më shumë dhe i padokumentuar, që hapësira për keqpërdorim,”-u shpreh Braçe.
Sipas marrëveshjes bizneset do të mund të rrisin deklarimet e 5 viteve të fundit deri me 30%. Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ti rrisë të ardhurat maksimumi deri në 30% ose +60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%. Ndërkohë për procedurat tatimore bizneset s’do të kenë mundësinë më shumë se 100 mijë lekë cash dhe individët 500 mijë lekë.



