Opozita njoftoi bojkot, Parlamenti voton nesër pr/rezolutën kundër Iranit, PS: Reflektoni, kush mungon…


Opozita njoftoi bojkot, Parlamenti voton nesër pr/rezolutën

kuvendi i shqiperise

TIRANË- Kuvendi do të votojë nesër rezolutën “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Mësohet se në orën 09:00, një orë para nisjes së seancës plenare, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të bërë pjesë të punimeve rezolutën, e cila po në të njëjtën ditë do të votohet.

Por, nga ana tjetër, opozita ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e ditës së nesërme, 17 mars, me pretendimin se është e paligjshme dhe se është thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren. Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, deklaroi se kjo seancë është e thirrur për “axhendën personale” të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa rend dite të miratuar dhe pa mundësi për debat e të drejtë fjalimi për opozitën.

Pas vendimit të PD-së, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili u këroi demokratëve që të reflektojnë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaroi se mungesa e deputetëve të PD-së në seancën e nesërme plenare, vjen sipas tij, pasi do të diskutohet dhe votohet projekt-rezoluta e PS-së për shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit. Duke iu përgjigjur deklaratës së Bardhit, Balla sqaron se seanca e 17 marsit është  propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026.

“Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.”, tha Balla.

Lajmi për rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit “Shtet Sponsor i Terrorizmit” u njoftua më 13 mars 2026 nga vetë kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp.

“Javën që vjen, parlamenti do të votojë rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, ajo republikë nuk ka lidhje me islamin, sipas asaj që unë di dhe unë çmoj te islami, shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë, do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare dhe Hezbollahu. Kjo është e vërteta. Në këto hapa nuk jemi pionerët, sepse ka pasur edhe më parë aleatë që e kanë hedhur. Është koha ta bëjmë edhe ne këtë gjë.”, tha Rama. 

Ky draft dokument u paraqit zyrtarisht si iniciativë e Partisë Socialiste dhe synon që Iranin ta shpallë shtet që sponsorizon terrorizmin dhe përdor mjete terroriste, duke u bazuar në raporte ndërkombëtare dhe veprime që, sipas deputetëve, kanë dëmtuar sigurinë ndërkombëtare./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top